Ish-presidenti akuzohet se nxiti kryengritje më 6 Janar

Pamje të detajuara të sulmit të 6 Janarit ndaj Kongresit nga mbështetësit e Donald Trump-it u shfaqën në Senatin e shndërruar në sallë gjyqi për ish-presidentin. Për të bindur republikanët të mbështesin shpalljen fajtor të Trump-it për nxitje të dhunës, përfaqësuesit demokratë të dhomës së ulët, në rolin e palës akuzuese, shpjeguan me detaje se si protestuesit ishin të mirëpërgatitur dhe të armatosur për të sulmuar Kongresin dhe policinë që u gjend në befasi përballë tyre, si jashtë ashtu edhe brenda ambienteve.

Demokratët shfaqën edhe përgjimet zanore të policëve që komunikojnë me kolegët brenda dhe jashtë ambienteve të kongresit, duke kërkuar përforcime, teksa në disa raste dëgjohet të thonë se kjo është një kryengritje.

Pala akuzuese demokrate akuzoi Trump-in se gjithçka u nxit nga një deklaratë e tij para zgjedhjeve për 2 senatorë në Georgia më 5 Janar ku bënte thirrje për të luftuar me gjithë forcën, për të mos lejuar që demokratët të marrin edhe Senatin edhe Shtëpinë e Bardhë.

“Ata nuk do ta marrin Shtëpinë e Bardhë, ne do të luftojmë me gjithë forcën, ja ku po ju them”.

Trump i konsideron të manipuluara zgjedhjet e 3 Nëntorit. Por që të shpallet fajtor për nxitje dhune nga Senati, çka pengon rikandidimin e tij, 50 demokratëve u nevojitet mbështetja edhe e 17 republikanëve, çka vështirë të arrihet.

Tv Klan