Administrativja rikthen në garë kandidaten e skualifikuar

Procesi për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese është bllokuar dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk mund të nxjerrë renditjen e kandidatëve që kanë plotësuar kriteret për të zënë vendet në këtë institucion.

Shkak për ngecjen e procesit është bërë një vendim i Gjykatës Administrative të Apelit, e cila ka urdhëruar që të rikthehet në garë një nga kandidatet e skualifikuara, që sipas KED nuk plotësonte kriteret.

Për gjykatën vendimi i Këshillit nuk është i drejtë dhe pedagogia e Fakultetit Juridik, Zhaklina Petro, duhet kthyer në garë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet ta ribëjë edhe njëherë procesin e renditjes së 6 kandidatëve, duke futur edhe zonjën Petro. Por për ta bërë këtë, duhet që Gjykata Administrative ta zbardhë vendimin e saj.

Vendimi është i formës së prerë dhe KED nuk mund ta ankimojë në Gjykatën e Lartë, pasi ajo është jashtë funksionit.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, javën e kaluar duhet të shpallte pikëzimin e kandidatëve që kanë aplikuar për në Kushtetuese dhe plotësonin të gjitha kriteret.

Tani është e paqartë se kur do të përmbyllet ky proces, edhe pse KED ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale në vjeshtë, ndonëse jo e plotë.

Nga 9 anëtarët, pas pikëzimit nga KED, 3 përzgjidhen nga Gjykata e Lartë, tre nga Presidenti dhe tre nga Kuvendi. Nga 6 të listuarit e KED do të përzgjidhen vetëm katër, dy nga parlamenti dhe dy nga Presidenti.

Aktualisht Kushtetuesja ka vetëm 1 anëtare, Vitore Tushën, e cila e kaloi procesin e vettingut.

Tv Klan