Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, në fjalën e tij hyrëse tha klienti i tij nuk ka pasur motiv për të kryejë krimet për të cilat akuzohet.

“Ai e dinte se suksesi i UÇK-së varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja”, tha ai, duke përmendur disa kushte që SHBA-ja i kishte vendosur UÇK-së për funksionimin e saj, që përfshinte atë që të mos sulmonin civilët.

Kehoe kundërshtoi deklaratën hyrëse të prokurorëve të specializuar që u dha gjatë të hënës.

Sipas tij, atyre ju mungoi konteksti i luftës kur pretendohet se janë kryer krimet.

“ZPS-ja dëshiron që ju të besoni se kishte një strukturë funksionale komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës. Faktet e asaj që ndodhën në terren duam të vendosim në kontekst”, tha ai.

Kehoe tha se Thaçi e ka pranuar se janë kryer krime gjatë luftës nga disa individë, por hedh poshtë akuzat e prokurorisë se këto krime janë kryer në bazë të një politike të udhëhequr nga UÇK-ja.

“Ai e kundërshton pretendimin e ZPS se janë kryer në bazë të një politike të Shtabit të Përgjithshëm apo që ka pasur krime sistematike dhe të përhapur”.

Sipas avokatit të Thaçit, Serbia ka kryer krime në Kosovë që shpesh kanë pasur për bazë edhe hakmarrjen./REL