Moisi Habilaj ka kërkuar gjykim të shkurtuar në seancën gjyqësore që u zhvillua sot në Katania. Së bashku me të ishin edhe 13 të arrestuarit e tjerë anëtarë të organizatës kriminale që trafikonte drogë nga Shqipëria në Itali. Bashkë me Habilajn ishin edhe Meridian Sulaj e Fatmir Minaj.

Të gjithë të pandehurit, me përjashtim të Vincenzo Spampinato, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar duke pranuar në këtë mënyrë fajësinë për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Portali italian “MeridioNews” raporton se seanca e radhës gjyqësore ku do të vendoset nëse do të pranohet gjykimi i shkurtuar për Moisi Habilajn dhe të tjerët, do të mbahet më datë 26 Shtator 2018.

Gjatë dy ditëve të fundit, Habilaj është marrë në pyetje edhe nga prokurorët shqiptarë të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara, të cilët udhëtuan drejt Katanias. Ata synojnë të hedhin dritë mbi lidhjet e mundshme mes bandës së Habilajve dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është nën hetim nga Prokuroria shqiptare pas përgjimeve të autoriteteve italiane, ku Moisi e Florian Habilaj përmendnin emrin Saimir. Vet ish-ministri ka pranuar se i ka kushërinj të largët Habilajt dhe u kishte shitur atyre makinën.

I ekstraduar në Itali për këtë çështje është edhe Nezar Seiti, i cili konsiderohet si financiar i Habilajve. Ndërkohë, mbetet në arrati dhe është shpallur në kërkim Florian Habilaj, pas arrestimit në Tetor 2017 të vëllait, Moisi Habilaj.

/tvklan.al