Ish-nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardian Çipa nuk do të dëshmojë në gjyqin kundër Emiliano Shullazit dhe të bashkakuzuarve të tjerë në procesin kundër tij. Togat e zeza pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda vendosen sot që të rrëzojnë kërkesën e avokatëve për të thirrur dëshmitar në seancë drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve Ardian Çipa.

Këtij të fundit i kërkohej nga pala mbrojtëse të jepte shpjegime për statusin e dëshmitarit të mbrojtur Besnik Musai. Avokatët e ish-shoferit të Ylvi Beqajt thanë se ai nuk është familjar i biznesmenit, dëshmitarit kryesor në këtë proces kundër Emiljano Shullazit, Gilmando Danit, Blerim Shullazit, Endrit Qyqja, Endrit Zela. Ndaj, në këto kushte sipas tyre, nuk ka arsye se përse Musai të jetë person i mbrojtur nga drejtësia.

Avokatët deklarojnë se i janë drejtuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe kryeprokurores së përkohshme Arta Markut për ta vënë në dijeni në lidhje me devijimin e procesit gjyqësor nga prokurorët. Më tej në seancën e sotme u dëgjua audio e një interviste dhënë nga Ylvi Beqja, ku deklaronte se i kishte dhuruar me vullnet të lirë 700 metra katrore nga ish-hotel Vollga Emiljano Shullazit, të cilin pohonte se e kishte mik. /abcnews.al