Në Komisionin e Posaçëm të Apelimit sot po zhvillohet një seancë dëgjimore me gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj. Ai ka kërkuar rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, datë 11 Korrik 2018,  që e shkarkoi nga detyra.

Avokati i Lazajt, Sokol Hazizaj deklaroi gjatë seancës se gjatë procesit të Vettingut në shkallën e parë është cënuar standardi i gjykimit. Sipas tij, një nga komisionerët jepte përgjigje pa bërë ende pyetjen, ndërsa kishte ndërhyrje arbitrare nga ana e komisioneres.

Avokati, tha gjithashtu se subjekti Artan Lazaj është vlerësuar vetëm për një nga kriteret, ndërsa hetimi i dy kritereve të tjera nuk është prezantuar.

Ndërsa vetë gjyqtari Lazaj akuzoi kryesuesen e trupës së KPK, Brunilda Bekteshi për shkelje të rëndë proceduriale. Ai sqaroi se kërkesa e tij për përjashtimin e saj nga trupa nuk ka ardhur si pasojë e konfliktit të interesit, por për shkak të njëanshmërisë së drejtimit të seancës.

Artan Lazaj ka ushtruar detyrën e gjyqtarit si dhe të kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës në vitet 2003-2009. Në vitin 2009, ai është zgjedhur anëtar i KQZ, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në vitin 2012.

Në Dhjetor 2012, Lazaj u rikthye në gjyqësor përmes një dekreti të Presidentit të Republikës, i cili e emëroi atë në Gjykatën e Tiranës. /abcnews.al