Paraditen e sotme, në të gjitha televizionet dhe  rrjetet sociale kryefjala e ditës ishin videot e kryetares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedanit. Disa video TikTok-u, të kryegjyqtares në ambientet e zyrës, kanë bërë që Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë të urdhërojë nisjen e hetimit disiplinor për kryetaren e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani. E më pas një reagim erdhi nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila kërkoi që ndaj gjyqtares së Elbasanit të niste një hetim i thelluar pasuror.

Në një prej videove të saj, dëgjohet në sfond kënga e Don Xhonit “Mafia”, ndërsa ajo filmon veten në ambientet e gjykatës. Në video ajo reklamon veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj , ndërsa është edhe një moment kur ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë.

Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 Shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu. Ajo ka liruar nga burgu, Viktor Ymerin, i cili konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, (Gaxhait) i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Për të folur rreth kësaj teme në studion e Rudina Magjistarit ka qenë Edlira Gjoni, pedagoge, Margarita Kola, eksperte ligjore dhe avokate ndërsa në Skype pedagogia Iris Luarasi dhe Altin Hazizaj, Drejtor i Përgjithshëm i Qendres për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, (CRCA).

Altin Hazizaj është shprehur për gjyqtaren se sjellha e saj është si një dive apo personazhi shumë të njohur dhe nuk e ka kuptuar pozicionin e saj real që ka.

Çfarë të bën tjetër përshtypje është edhe fakti se sa viktimë ëshë personazhi në fjalë përkundrejt famës në vetëvete. Ajo nuk e ka kuptuar që ajo është një gjyqtare, në rastin konkret është edhe nënkryetare e gjykatës, por ajo sillet sikur të jetë Jennifer Lopez apo si divat e famshme. Ajo sillet me ato taksat tona sikur të jetë një personazh filmi apo një divë muzike. Nuk e ka kuptuar pozicionin real në jetën e vetë. 

Të jesh punonjës i drejtësisë, në qoftë se ka një rregull që të karakterizon është paraqitja dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë në botë, edhe në vendet më të tmerrshme si në Afrikë, nuk kanë ndodhur ndonjëherë që gjykatësit të dalin sikur janë diva muzike ose sikur luajnë rolin e mafjozëve online siç ka dalë zonja në fjalë”, është shprehur Altin Hazizaj. /tvklan.al