Kreu i ILD bie dakord, KLGJ cakton seancën e radhës

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani asistoi sot në seancën dëgjimore në Këshillin e Lartë Gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës për masën disiplinore “shkarkim nga detyra” për magjistraten Enkeleida Hoxha me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Në një njoftim për mediat nga zyra për shtyp e ILD, thuhet se Metani u shpreh dakord me kërkesën e gjyqtares, e cila i kërkoi kohë KLGJ-së për të përgatitur parashtresat e saj për raportin hetimor të paraqitur nga ILD.

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e magjistrates dhe caktoi seancën e radhës dëgjimore më 29 Janar ora 11:00.

Në Dhjetor të vitit që lamë pas, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë iu drejtua KLGJ me kërkesën për shkarkimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, me argumentin se ka liruar para kohe disa të dënuar për vrasje dhe vepra të rënda penale.

Sipas ILD-së, gjyqtarja e Krujës ka dhënë vendime që diskreditojnë figurën e gjyqtarit, duke liruar nga burgu ish-anëtarin e bandës së Durrësit Endrit Doklen, si dhe Hekuran Billën, që më pas mbeti i vrarë në Qershor të këtij viti në Tiranë. /tvklan.al