Merr topografin pa licensë për çështje pronësie

Denoncimi i radhës në “Stop” vjen për ekspertin Eduard Kelmendi. Ndriçim Bici, një qytetar nga Shkodra, ka përfunduar në Gjykatën e Shkodrës për një çështje pronësie, për të cilën ishte në konflikt me komshinjtë e tij.

Gjatë procesit lindi nevoja për topograf dhe gjyqtarja Izabela Radovani thirri topografin Eduard Kelmendi. Për shkak të problemeve që lindën Ndriçimi tregon, se u interesua në Drejtorinë e rregullimit të lejeve dhe Licensave dhe mori përgjigje se Eduard Kelmendi, nuk mund të ushtrojë profesionin e tij, për shkak të mbarimit të afatit të licensës.

Shkresa iu vu në dispozicion gjyqtares, por ajo nuk e mori në konsideratë, ndaj çështja shkoi në Prokurorinë e Shkodrës. Vetë Eduard Kelmendi pretendon se është pajisur më pas me licensë. Ndërsa Izabela Radovani nuk dha shpjegime, por u ngujua në zyrë, për të mos u përballur me gazetaren e emisionit “Stop”.   

Gazetarja: Përshëndetje, si jeni?

Eksperti Eduard Kelmendi-Mirë, si jeni?

Gazetarja: Një qytetar me mbiemër Bici të kujtohet?

Eksperti Eduard Kelmendi-Po me po. Jam ekspert në atë çështje, po.

Gazetarja: Jeni ekspert…

Eksperti Eduard Kelmendi-Po!

Gazetarja: Po si ka mundësi që nuk keni një licensë për ushtrimin e profesionit si topograf?

Eksperti Eduard Kelmendi-E ke gabim! E ke gabim! E ke gabim! E ke gabim! Ke marrë një, ke marrë përsipër një punë kot!

Gazetarja: Unë e kam me shkresë zyrtare…

Eksperti Eduard Kelmendi-Po nuk jam…nuk jam në dispozicionin tat unë!

Gazetarja: Jo, jo nuk je në dispozicionin tim, por habitemi si mund të bëni ekspertin kur nuk keni licensë?

Eksperti Eduard Kelmendi-Ëhë, ëhë…. Po, po, po e kam. E kam dhe atë, e kam.

Gazetarja: Po nuk e ke pra, se e ke të pavlefshme… Shkresa e datës 25/10/2019 lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës…

Eksperti Eduard Kelmendi-E kam, e kam!

Gazetarja: Po nuk e ke…

Eksperti Eduard Kelmendi-Po tashi, mos u merr ti, mos u merr ti me këtë punë! O, e ke gabim, se ka lëshu shkresë tjetër Ministria. Po e ke gabim pra, se ka lëshu shkresë tjetër Ministria, dhe hajde lexoje dhe atë! Mos merr përsipër gjëra, që s’të takojnë!

Gazetarja: Kur e ka lëshuar shkresën tjetër ministria?

Eksperti Eduard Kelmendi-Po tashi, dëgjo, nuk je ti domethënë, që të më marrësh mua, në këtë lloj emisioni.

Gazetarja: Zotëri në momentin që keni qenë ekspert i çështjes, ka qenë kjo shkresa që kam unë në dorë.

Eksperti Eduard Kelmendi-Shko merr, shko merr… Në qoftë se ke ardhur… ehuuuu

Gazetarja: Unë kam faktin që kur ti ke qenë ekspert i çështjes, ke qenë pa licencë.. se çfarë ke bërë tashi, i ke rregullu muhabetet, është pjesë tjetër kjo…

Komunikimi me Gjyqtaren Izabela Radovani

Gazetarja: Në emisionin “Stop” ka ardhur një ankesë nga Ndriçim Bici…

Gjyqtarja Izabela Radovani-Zonjë, a e dini, që ne zhvillojmë gjykim apo jo?

Gazetarja: Si?

Gjyqtarja Izabela Radovani-Unë jam në sallë gjyqi.

Gazetarja: Doja të të njoftoja që jam poshtë duke të pritur.

Gjyqtarja Izabela Radovani-Po nuk merret moj, gjyqtari!

Gazetarja: Si?

Gjyqtarja Izabela Radovani-Nuk merret gjyqtari! Po mirë moj zonjë, duhet të merret Prokuroria me atë punë!

Gazetarja: Jo, jo prokuroria, ti si gjyqtare duhet të kesh qenë e vëmendshme para se ta thërrasësh.

Gjyqtarja Izabela Radovani-Merret, merret Prokuroria. Mirë me zonjë!

Gazetarja: Mirë kur të mbarosh procesin, unë jam duke të pritur këtu…

Gjyqtarja Izabela Radovani-Falimners zonjë, falimners! Falimners, falimners,falimners…Mirë, mirë zonjë falimners prej jush!

 Biseda mes gazetare së “Stop” dhe kancelares së gjykatës:

Gazetarja-E gjithë Gjykata ka dalë, vetëm ajo gjyqtarja, që unë kërkoj është lart!

Kancelarja-Rrin’ për me arsyetu. /tvklan.al