Rezarta Smaja, këngëtarja e njohur nga Shkodra ka spikatur tashmë me vokalin e saj unik. Artistja simpatike hyn në zërat jo-komercialë që preferon të këndojë të gjitha rrymat përpara syve të publikut, e jo të një mikrofoni studioje.

Gjatë intervistës me moderatoren Rudina Magjistari në emisionin e pasdites “Rudina” në Tv Klan, Rezarta tregon se muzika është një lloj trashëgimie e saj. Një kujtim i bukur nga fëmijëria e saj në Shkodër duket se i ka falur talentin e një zëri të pazakontë që tani rrëmben çmime festivalesh.

Rudina Magjistari: Zërin nga e ke të trashëguar? Në familjen tënde kush ka kënduar më herët?

Rezarta Smaja: Nuk më është bërë asnjëherë këtë pyetje. Unë mendoj që e kam zërin të trashëguar nga gjyshi im. Nga ana e babit, ne kemi pasur familje artistësh. Për sa i përket vokalit, mendoj që i kam ngjarë babait të mamit.

Babai i Rezartës ka qenë fizarmonist e sportist.

Rudina Magjistari: Ah nga babai, jo nga mamaja. Se e lidha me faktin që babai ka qenë muzikant.

Rezarta Smaja: Unë mbaj mend që gjyshi kur isha e vogël, ulej në tokë dhe këndonte për mua me orë të tëra përpara meje dhe kishte një vokal jashtëzakonisht shumë të bukur dhe disa vibrato që unë nuk kam për t’i harruar asnjëherë. Sidomos kur ishte vetëm me mua, kishte shumë dëshirë të këndonte.

Rudina Magjistari: Po ai besoj duhet ta ketë dalluar diçka të tillë te ti?

Rezarta Smaja: Nuk e di, unë e mbaj mend shumë e vogël që ai kënaqej duke kënduar për mua./tvklan.al