Pak orë pasi 69-vjeçar Vangjel Kapllani humbi jetën në spitalin e Vlorës, si pasojë e plagës së marrë me armë zjarri, policia ka mundur të zbardhë të gjithë ngjarjen. Si autori i dyshuar i vrasjes, në pranga përfundoi nipi 17-vjeçar i të moshuarit. Sëbashku me të, autoritetet policore kanë vëne në pranga edhe 3 të rinj të tjerë, të cilët akuzohen se i kanë siguruar adoleshentit armën e krimit.

Në një njoftim për mediat, Policia e Vlorës thotë se ka mundur të gjejë edhe pistoletën me të cilën 17-vjeçari vrau të moshuarin. Ai e kishte hedhur atë në një pusetë afër shtëpisë, me qëllim që të fshihte gjurmët.

“Lidhur me ngjarjen e mbrëmshme ku i moshuari 69-vjeçar u dërgua në Spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë shëndetësore, me pretendimin se u gjet i gjakosur nga nipi i tij, bëjmë me dije se Policia e Vlorës pas hetimeve intensive, ka bërë zbardhjen e gjithë mekanizmit të ngjarjes. Rezulton se autori i dyshuar i krimit të jetë nipi i të moshuarit, V.K., 17 vjeç, i cili do të përballet penalisht për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Pas ekspertizës së kryer në pjesën e pasme të kokës së viktimës është konstatuar një predhë armë zjarri, e cila si pasojë ka sjellë vdekjen e të moshuarit”,

thuhet në njoftimin e policisë.

Sa i përket 3 personave të tjerë që përfunduan në pranga, ata janë të moshës 17, 16 dhe 28 vjeç.

“Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka arrestuar në flagrancë 3 persona, të cilët dyshohen se i kanë shitur armën e krimit autorit të ngjarjes, shtetasit L.M, 17 vjeç, F.Xh, 16 vjeç dhe M.A, 28 vjeç, të cilët u arrestuan nga Policia për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Viktima dhe nipi jetonin në një shtëpi, në lagjen “Rilindja” të Vlorës. Rreth orës 20:30 të së mërkurës 17-vjeçari njoftoi policinë dhe pretendoi se në shtëpi kishin hyrë grabitës dhe kishin dhunuar gjyshin, për t’u larguar më pas me rreth 1 milionë lekë.

69-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital dhe humbi jetën pak orë më vonë. Ishte ekspertiza mjekoligjore që konfirmoi se ai ishte qëlluar me plumb pas koke.

Pak pas ngjarjes, 17-vjeçari u shfaq i tronditur edhe në media, ku rrëfeu sesi e kishte gjetur gjyshin, duke vijuar kështu me inskenimin e tij. Megjithatë, shumë shpejt autoritetet policore ranë në gjurmët e adoleshentit, i cili pranoi krimin.

Viktima dhe autori jetonin të dy në një shtëpi, pasi prindërit e 17-vjeçarit kishin humbur jetën në një aksident. Para hetuesve, i riu mësohet të jetë shprehur se e kishte vrarë gjyshin sepse e stresonte.

/tvklan.al