Një gjyshe britanike e cila u përpoq të fuste ilegalisht 3 emigrantë shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar në bagazhin e makinës së saj, do ta kalojë Krishtlindjen në burg.

53-vjeçarja Jackie Willis nga Feltham, Londra perëndimore, u arrestua 3 javë më parë pasi u kap teksa po tentonte të transportonte emigrantët nga Calais drejt Dover, nëpërmjet Eurotunel.

Sipas asaj që shkruan DailyMail, asaj mësohet se u ishin ofruar 3 mijë paund nga një trafikant që të transportonte shqiptarë.

Willis, e cila punonte si menaxhere për një firmë kateringu, u shfaq e përlotur në gjykatën e Boulogne teksa u dënua me 6 muaj burg.

Avokatja e saj, duke folur për mediat britanike tha se 53-vjeçarja kishte një punë të mirë, por ishte tunduar nga paratë.

“Ajo është e penduar për veprimin e saj dhe e pranoi akuzën që në momentin e parë. Familja e saj ishte në sallë të gjyqit për ta mbështetur, teksa ajo nuk mbante dot lotët”.

Willis nuk do të lejohet të shkojë në Francë për dy vjet pas daljes nga burgu./tvklan.al