Feruzja, një gjyshe e dëshpëruar për mbesën e saj, është bërë pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, ku tregoi se mbesa e saj 5 vjeç me emrin Lisa e cila ka lindur me një sëmundje të rrallë dhe të rëndë në zemër. Pas lindjes, mjeku kirurg që e zbuloi problemin e Lisës, Altin Veshti, u tha familjarëve se Lisa duhet t’i nënshtrohej urgjentisht ndërhyrjeve, pasi përndryshe do të kishte vetëm 1 muaj jetë.

Falë ndihmës dhe mbështetjes së shtetit shqiptar familja Çoço mundi ta çonte jashtë shtetit Lisën, madje e ka çuar 5 herë në Spitalin e Stambollit dhe ka kryer 5 ndërhyrje, ku më e rëndësishmja dhe më e vështira ka qenë ajo e muajit Shkurt të vitit të kaluar. Por kalvari i vështirësive të Lisës së vogël vazhdon.Ajo ka nevojë për një tjetër ndërhyrje të cilën duhet ta kryejë këtë muaj, në 28 Janar, ndërhyrje e cila kushton 6 mijë Euro.

Por shteti shqiptar për këtë vit fut në sistemin e fondeve financiare për këto lloj proçedurash në muajin Mars. Ndërkohë që shëndeti i Lisës nuk mund të presë deri në muajin Mars.  Feruzja kërkon ndihmë për mbesën e saj, të cilën e ka dritë syri dhe duke qenë se nuk ka as vajza as motra, e ka pikë të dobët. 

Djali i saj, babai i Feruzes punonte deri para 4 muajsh në një kompani për ruajtjen e sigurisë por e ka lënë punën sepse ka shoqëruar vajzën. As e ëma e Lisës nuk punon sepse i rri vajzës pas. Vetëm Feruzja punon, kujdeset për një të moshuar çdo natë, vetëm për të siguruar sadopak të ardhura, pasi kanë shumë borxhe.

Edhe pse shteti ka mbuluar ndërhyrjet e Lisës, për çdo rrugë në Stamboll kanë shpenzuar shumë lekë për të qëndruar në hotele gjatë kohës që vajza ishte në spital.

Lisa e vogël ka marrë një Kemp prej 105 mijë lekësh të vjetra. Por prej 3 muajsh nuk e merr më sepse mjekët i kanë bërë një gabim në dokumentacion dhe i është ndërprerë.

Mirela Milori: Tani çfarë thonë  mjekët?

Feruzja: Mjekët thonë që do jetë nën kontroll gjithë jetën?

Mirela Milori: Kur i kanë thënë për ndërhyrjen tjetër?

Feruzja: I kanë thënë për datën 28 Janar.

Mirela Milori: Pse është e vështirë që ajo të shkojë në 28 Janar në Stamboll?

Feruzja: Duhet bërë sa më shpejt sepse doktorët thanë që nuk presim dot deri në Mars.

Mirela Milori: Po pse në Mars, më thuaj këtë anën dokumentare.

Feruzja: Sepse në Mars hapen sistemet e Ministrisë së Shëndetësisë sepse të 5-ta operacionet ia ka bërë Ministria e Shëndetësisë, i falenderojmë, na kanë ndenjur mbi kokë. E-maili nuk ka shkuar ministrisë sepse nuk është i hapur sistemi, vajza duhet të shkojë sa më parë, nuk pret dot deri në Mars.

Mirela Milori: Pra Ministria e Shëndetësisë e hap sistemin dhe lëvron fondin e duhur në Mars, ndërkohë që vajza duhet të bëjë një operacion tani në 28 Janar. Sa kushton ky operacion?

Feruzja: Ai thoshte 6 mijë euro.

Mirela Milori: Çfarë thonë mjekët për të ardhmen e saj?

Feruzja: Do jetë nën kontroll gjithë jetën.

Mirela Milori: Si jeni me gjendjen ekonomike?

Feruzja: Çuni është pa punë, ka 4 muaj, nusja është pa punë dhe i mban gjyshja që punon tek plaka.

Mirela Milori: Ti punon natën më the, kujdesesh për një të moshuar dhe me ato jetoni të gjithë?

Feruzja: Çfarë të bëjmë?

Mirela Milori: Po djali dhe nusja çfarë pune kanë bërë që kanë ngelur tani pa punë?

Feruzja: Djali ka punuar në ushtri 7 vjet, ra reforma dhe i hoqën, morën 20-vjeçarët. Ka qenë dy herë në Afganistani i shkreti nga 80 kg është bërë 50. /tvklan.al