Buxhuku: Duhet të shtyhet dhe të lihet një periudhë testimi

Më shumë se gjysma e kompanive në Shqipëri kërkojnë shtyrjen e reformës së fiskalizimit për shkak të njohurive të dobëta që kanë për këtë proces.

Në një anketë të zhvilluar nga Këshilli i Investimeve me ndërmarrje në të gjithë qarqet e vendit rezulton se afërsisht gjysma e ndërmarrjeve në Shqipëri janë të papërgatitura për zbatimin e reformës së faturës elektronike.

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria-s thotë se edhe në një anketë të zhvilluar nga kjo shoqatë, niveli i mosnjohjes së metodologjisë së fiskalizimit është i lartë.

“Dhe në një anketë që kemi bërë ne rezulton se janë afro40% e bizneseve që kanë mangësi në njohjen e plotë të kësaj metodologjie, për të mos i shtuar këtu kostot që do të prodhojë ky sistem për zbatimin dhe penalitetet që mund të vendosen për shkak të gabimeve që mund të bëhen.”

Në bazë të anketës 32% e ndërmarrjeve shprehen se nuk është momenti i duhur për zbatimin e fiskalizimit, ndërsa sipërmarrjet propozojnë shtyrjen e implementimit të saj dhe lënien e një kohe testi për bizneset që duhet ta përdorin.

“Problemi është që vetë njohuritë dhe nga ana e administratës janë të ulëta, duhet lënë një kohë për testim dhe të shtyhet me disa muaj.”

Fiskalizimi filloi të zbatohet në janar për faturat mes biznesit dhe institucioneve shtetërore, ndërsa në një korrik fatura elektronike do të duhet të lëshohet edhe transaksionet biznes me biznes dhe në shtator për fatura biznes me konsumator.

Ndryshimi nga kasa fiskale te raportimi në kohë reale i shitjeve ka si synim reduktimin e informalitetit nga ana administratës tatimore.

Tv Klan