Gjysma e shqiptarëve nuk kryejnë aktivitet fizik duke rritur rrezikun të preken nga sëmundje vdekjeprurëse. Sipas raportit të organizatës botërore të shëndetësisë, mes 168 shteteve në botë, Shqipëria dhe Ballkani, renditen në një nivel mesatarisht negativ nga 30 deri në 45 %, për moskryerjen e aktivitetit fizik. Referuar këtij studimi,  mjekët thonë se vitet e fundit është rritur numri i pacientëve që paraqiten për të marrë ndihmë mjekësore.

“Vëmë re që kemi tendencë në rritje të sëmundshmërive, jo vetëm të rasteve okute, por edhe atyre kronike. Kemi rritje të të sëmurëve me diabetin, hipertensionit, kardiopati nga më të ndryshme, deri edhe tek problemet ishemi të zemrës. Çrregullimi ushqimor, mungesa e fizkulturës, çojnë drejt shfaqjes së tyre. Ka abuzim me marrjen e energjive dhe konsumimin e saj”, tha Bujar Mema, mjek familje nga poliklinika nr.9.

Mema thotë se sëmundjet tashmë po prekin edhe moshat e reja.

“Nëse më parë ishte një moshë mesatare që mund të kapte këtë sëmundshmëri deri në 50 vjeç, kemi raste edhe 35-37 vjeç.”

Për bluzat e bardha, çdo grupmoshë duhet të bëjë të paktën 4 deri në 5 km ecje në ditë.

“Mënyra e vetme e shpenzimit të kësaj energjie mbetet aktiviteti fizik, ne rekomandojmë ecje të shpeshtë dhe deri teka aktivitetet më të mëdha, në varësi të grupmoshave përkatëse. Rreth 10-12 mijë hapa në ditë, për të harxhuar energjinë.”

Sipas OBSH gratë janë më pak aktive se meshkujt, me një diferencë prej 9% në nivel global.

Tv Klan