Më shumë se gjysma e popullsisë ka marrë dozën e parë

Nga kjo e hënë, në Shtetet e Bashkuara nuk ka më kufij për t’u vaksinuar. Të gjithë të rriturit mbi 18 vjeç që duan të imunizohen ndaj COVID-19 mund të shkojnë në qendrat e përcaktuara të vaksinimit.

 Në fillim të këtij muaji, presidenti Joe Biden tha se vendi kishte arritur marrëveshje me 3 firmat farmaceutike që kanë lejen për përdorim urgjent, për të furnizuar vendin me doza të mjaftueshme për imunizimin e gjithë popullatës.

Imunizimi anti-Covid po përparon me ritme të shpejta. Më shumë se gjysma e popullatës 330 milionëshe kanë marrë të paktën 1 doza vaksine. Ritmet e injektimit, ditët e fundit kanë arritur në 3 milionë doza në ditë.

Përqindjen më të lartë mes të vaksinuarve e ka grupmosha mbi 65 vjeç, ku janë imunizuar mbi 80% e individëve. Presidenti amerikan ka përcaktuar ditën e pavarësisë, 4 Korrikun si afatin për arritjen e imunitetit të tufës. SHBA është mes vendeve me ritmet më të shpejta të vaksinimit në Botë.

Sakaq, kryevirologu Anthony Fauci tha se deri të premten pritet të merret një vendim për vaksinën Johnson and Johnson, injektimi i të cilës është pezulluar pasi u krijoi mpiksje gjaku 6 vajzave dhe grave, njëra prej të cilave ndërroi jetë.

Tv Klan