TIRANANTirana vazhdon të vuajë mungesën e energjisë elektrike për orë të tëra. Ditën e sotme, energjia ka munguar në shumë zona për më shumë se 12 orë, ndonëse në disa prej tyre, zhurma e gjeneratorëve kishte nisur që në orët e paradites.

Në një vëzhgim të Televizioni Klan pranë rrugës së Elbasanit, banorët thanë se energjia u ndërpre që në orën 9 të mëngjesit dhe kur kishin kaluar 12 orë ajo nuk u rikthye.

Në zonën pranë stadiumit Qemal Stafa, në qendër të Tiranës, energjia elektrike mungonte që prej orës 16.00. E njëjta situatë paraqitej edhe në zonën Komuna e Parisit dhe Kodra e Diellit. Të vetmet dritare që ndriçonin ishin të atyre banorëve që përdorin mjete alternative.

Në një njoftim të CEZ shpërndarje në orët e pasdites thuhet se për shkak të një defekti në Fideri-n 312 ka pasur një shkëputje të përkohshme të furnizimit me energji elektrike në disa zona në Tiranë.

Ndërprerjet e energjisë elektrike janë bërë të zakonshme gjatë këtij dimri në Tiranë, ndërsa defektet dhe mbingarkesat kanë qenë shpjegimet e përhershme të kompanisë CEZ shpërndarje.