“Gjysma e ushtarëve të Mariupolit janë larguar nga fabrika Azovstal“





“Gjysma e ushtarëve të Mariupolit janë larguar nga fabrika Azovstal“

10:35 19/05/2022

Më shumë se gjysma e ushtarëve ukrainas që ishin strehuar tanimë janë larguar nga fabrika e çelikut Azovstal në qytetin e Mariupolit. Si pala ukrainase dhe ajo ruse kanë dhënë shifra kontradiktore lidhur me numrin e ushtarëve që janë larguar nga uzina.

Sipas autoriteteve ruse më shumë se 900 ushtarë ukrainas janë dërguar në një kamp, në një pjesë të kontrolluar nga Rusia. Ukraina urdhëroi trupat atje të tërhiqen si pjesë e një marrëveshjeje të arritur nga të dyja palët, në një përpjekje për të shpëtuar jetët e ushtarëve. Fati i tyre mbetet i paqartë, pasi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov refuzon të thotë nëse ata do të trajtohen si kriminelë apo robër lufte. Ukraina ka thënë se shpreson t’i kthejë ushtarët përmes një shkëmbimi të të burgosurve me Rusinë, por disa politikanë rusë kanë thënë se ata duhet të akuzohen për krime lufte.

Nga ana tjetër mësohet se Moska po përdor armë të reja lazer në Ukrainë për të djegur dronët. Presidenti, Volodymyr Zelensky  deklaroi se përdorimi i “armëve lazer” është një shenjë e qartë e dështimit të Rusisë. Në terren, ushtria ukrainase po përballej me bombardime  të shumta rreth rajonit të Donbasit teksa Rusia po përpiqet të marrë lindjen e vendit.

Sakaq, Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se SHBA-të rihapën ambasadën e tyre në Kiev të mërkurën, pasi e mbyllën atë për shkak të luftës. Ambasada amerikane u mbyll më 14 shkurt, 10 ditë përpara se trupat ruse të kalonin kufirin.

Klan News













Të ngjashme