Gjysmë milioni viktima nga Covid-19 në SHBA



Gjysmë milioni viktima nga Covid-19 në SHBA

14:31 23/02/2021

Biden: Të mos zhytemi në trishtim, luftë deri në fitore kundër koronavirusit

Shtetet e Bashkuara arritën një kuotë të re rekord të viktimave të koronavirusit. Gjysmë milioni njerëz kanë humbur jetën në këtë vend në një vit pandemi, shifra më e lartë në renditjen globale teksa Brazili ka shënuar rreth gjysmën e këtij numri.

Nga Shtëpia e Bardhë ku u mbajt 1 minutë heshtje në nderim të viktimave, Presidenti amerikan Joe Biden bëri thirrje për vendosmëri për të arritur fitoren përfundimtare në luftën kundër koronavirusit.

“Shifra tregon se në një vit kanë humbur jetën më shumë amerikanë se në Luftën e Parë, Luftën e Dytë dhe në atë të Vietnamit të marra së bashku. Nuk mund ta pranojmë një fat të tillë mizor, por teksa luftojmë duhet t’i rezistojmë zhytjes në hidhërim”.

Infektimet ditore në Shtetet e Bashkuara janë aktualisht 6 herë më të ulta se rekordet absolute të një muaji më parë, falë masave të ashpra që po aplikohen që kur erdhi në detyrë administrata Biden.

E njëjta tendencë ruhet edhe në vendet europiane ku Franca dhe Italia kanë qëndrueshmëri në rastet e reja, ndërsa në Britani të Madhe dhe Gjermani, shifrat vijojnë të bien. 

Tv Klan







Të ngjashme