Edhe një herë tjetër “Akoma jo” e Aurela Gaçes, rrëmbeu duartrokitjet e spektatorëve në Pallatin e Kongreseve. Kënga fituese e edicionit të një viti më parë, ishte surpriza që Ardit Gjebrea solli bashkë më Elia Zaharia Zogu, në nisje të mbrëmjes së parë gjysmëfinale të “Kënga Magjike”.

Për publikun në sallë dhe telespektatorët që e ndoqën drejtpërdrejt nga ekrani i Televizionit Klan, ishte një emocion i veçantë të dëgjonin Arditin dhe Elian si këngëtarë.

23 ishin këngëtarët konkurrentë.

Nga emrat e kategorisë “Big” në natën e parë ishin Mariza Ikonomi, Soni Malaj, Era Rusi, Devis Xherahu, Eranda Libohova.

Artistja që u duartrokit gjatë ishte Rozana Radi me “Ma thuaj ti”, këngë e cila sjell me vargje një fenomen të dhimbshëm siç është dhuna ndaj gruas.

Për tetë konkurrentët e kategorisë “New Artist”, “Artistët e rinj” emocioni ishte i dyfishtë. Juria me Juliana Pashën, Olti Currin, Dj. Sardin, Venera Lumanin dhe Ulis Krajkën, i dhanë dritën jeshile për të votuar dhe për t’u votuar për mbrëmjen finale, katër zërave të rinj, Markelit, Mishela Rrapos, Davidit dhe Florian Nazifit.

Takimi i 18 me “Kënga Magjike” vazhdon sonte në mbrëmje, më natën e dytë gjysmëfinale. 24 artistë konkurrojnë për finalen e madhe të së shtunës, mes të cilëve edhe 8 të rinj, që përsëri do të nënshtrohen gjykimit të jurisë, drejtpërdrejt nga Pallati i Kongreseve në ekranin e Televizionit Klan, në 20 e 30.  

Tv Klan