Kryepolici: Shtoni patrullimet e filmoni çdo shkelje

‘Gjatë muajit gusht të shtohet prezenca policore në zonat turistike’. Është kjo një nga kërkesat e bëra nga drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit, Gledis Nano përmes një letërporosie dërguar vartësve të tij.

Në fokusin e numrit një të policisë së shtetit ka qenë monitorimi i situatës me mjetet lundruese që në jo pak raste janë kthyer në shqetësim për pushuesit.

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, drejtori i përgjithshëm i policisë ka kërkuar dhe angazhimin e Policisë Kriminale.

“Të caktohen punonjës policie, kryesisht të Policisë Kriminale a të Rendit, për të patrulluar në vijën bregdetare, aty ku ka grumbullime masive të pushuesve dhe të filmojnë çdo rast të tentativës për manovra të rrezikshme nga “Jet ski”-të apo skafet, qoftë brenda perimetrit të sigurisë, ashtu edhe në afërsi të perimetrit të sigurisë.Për çdo rast të konstatuar, filmimet t’ua dërgojnë menjëherë Policisë Kufitare, e cila të reagojë në kohë reale duke bllokuar mjetin dhe duke e ndëshkuar me masë administrative.”

Mes porosive të dhëna vëmendje e shtuar kërkohet dhe për sektorin e qarkullimit rrugorë në zonat turistike, kjo për shkak të shtimit të lëvizjes së automjeteve gjatë sezonit. /Tv Klan