Bojkoti i avokatëve javën e kaluar në Durrës ka sjellë shtyrjen e 433 seancave gjyqësore duke sjellë problematika të shumta në funksionimin normal të punës së gjyqtarëve të këtë gjykatë.

Paulin Çera, zv.kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës tha se masa e marrë nga gjykata për pritjen e avokatëve dhe pala tjetër në të njëjtat mjedise, u mor e diktuar nga kushtet që ka godina aktualisht.

Çera shtoi se prej vitesh është bërë kërkesë që gjykata të ketë një godinë të re pasi është shtuar shumë puna tashmë që këtu gjykohen edhe procese që vijnë me palë nga bashkitë e Kavajës dhe Rrogozhinës.

Paulin Çera, zv.kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës: Kjo është një godinë me tre kate, është një godinë ku gjyqtarët futen bashkë me palët në korridoret e gjykatës. Jemi salla gjykimi të cilat nuk kanë as dhomë këshillimi, ndërkohe që duhet që gjyqtarët të kalojnë mes për mes palëve. Është një godinë që tashmë nuk I përmbush pritshmërinë dhe në kuadër të hartës së re gjyqësore.

Gjykata e Durrësit ka aktualisht një trupë prej 23 gjyqtarësh, por vetëm 11 prej tyre kryejnë efektivisht detyrën e tyre. Kjo do të thotë se gjykata punon me gjysmën e kapacitetit të burimeve njerëzore, ndërsa një gjyqtar gjykon mesatarisht në ditë 10-32 seanca.

Paulin Çera, zv.kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës: Të gjitha dosjet janë në shqyrtim nga ana e gjyqtarëve. Organika pot ë jetë e plotë me 23 gjyqtarë patjetër që është mjaftueshëm për vazhdimësinë e gjykimit dhe gjykimi do të jetë në një kohë më të arsyeshme.

Aktualisht kjo gjykatë ka në gjykim 3517 çështje civile dhe 1886 çështje penale.

Klan News