Korçë | Goditen 2 raste të kontrabandës me mallra.

Vihet në pranga 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër.

Sekuestrohen sasi me mallra ushqimore, paketa me cigare, pije alkoolike dhe një sasi medikamentesh mjekësore pa pullë fiskale, të dyshuara të kontrabanduara.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandimit me mallra dhe medikamente mjekësore, goditën 2 raste të tjera.

Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. C., 47 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Gj. F., 64 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë, në rrugën Kapshticë-Bilisht, tek rrethrrotullimi i fshatit Miras, Devoll, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin O. C., gjetën një sasi me mallra ushqimore, paketa me cigare dhe pije alkoolike për të cilat ky shtetas nuk kishte kryer detyrimet doganore dhe dyshohet se do t’i tregtonte në minimarketin e tij, në lagjen nr. 15, Korçë.

Gjithashtu, në hyrje të qytetit të Bilishtit, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin Gj. F., u gjet dhe u sekuestrua një sasi me medikamente mjekësore, me mbishkrime në gjuhën greke, pa pullë fiskale, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”./tvklan.al