Goditen 4 grupe kriminale, në pranga 57 persona

Goditen 4 grupe kriminale, në pranga 57 persona

16:36 12/09/2019

Trafikonin kanabis dhe kokainë drejt vendeve të BE

Katër grupe kriminale në fushën e narkotikëve janë goditur nga policia duke vënë në pranga 57 persona dhe 8 të tjerë janë shpallur në kërkim. 300 forca policie janë angazhuar prej orëve të  para të mëngjesit të së enjtes ku kanë vënë në pranga 23 persona , ndërsa 34 të tjerë janë ndaluar më herët në shtetin grek. Hetimet për këtë rast kanë nisur në 2016-tën, pas arrestimit të disa shqiptarëve në shtetin fqinj.

“Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndriçim artificial, telefona celularë dhe disa automjete”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Të arrestuarit e siguronin farën e kanabisit në Holandë. Më pas e kalonin tranzit drejt Greqisë me destinacion Shqipërinë, ku dhe kultivohej. Më pas kanabisi trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së.

“Grupet kriminale ndërvepronin me njëri-tjetrin, ndërsa nga hetimet ka rezultuar se rolet e tyre janë të ndara. Deri tani janë ndaluar disa persona që dyshohet se drejtonin aktivitetin kriminal”, u shpreh prokurori Vladimir Mara.

Edhe autoritetet greke kanë sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg kokainë. Këto grupe kriminale organizonin dhe kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
UKT