Goditet një bazë e prostitucionit në lagjen nr.13 në Durrës. Një grup i strukturuar kriminal akuzohet se rekrutonin vajza nga Kina dhe i sillnin në vendin tonë ku ushtronin veprimtarinë e paligjshme. Në pranga është vënë një nga organizatorët, një shtetas kinez i quajtur Gungtai Lin ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy pjesëtarë të tjerë të këtij grupi. 7 vajza kineze janë proceduar në gjendje të lirë ndërsa ky rast u godit pas një hetimi 4 mujor.
Grupi kishte marrë një apartament në zonën e plazhit ndërsa lëviznin edhe në pjesë të tjera të qytetit. Nga hetimet është zbuluar edhe si funksiononte rrjeti. Mësohet se 25% të shumës së parave i merrte menaxheri në Durrës, 35% të shumës i merrte pjesa e grupit që funksiononte në Vietnam dhe 40% i merrnin vajzat që merreshin me këtë aktivitet. Mësohet se të shpallurit në kërkim që po ashtu janë kinezë, rezultojnë se nuk ndodhen në vendin tonë ndërsa gjatë aksionit u gjetën edhe shuma parash, celularë, laptopë e sende të tjera.
Klan News