Droga e sekuestruar vinte nga Kolumbia, nëpërmjet Ekuadorit. U gjet në kontejnerët e peshkut

11 ton kokainë të importuar nga organizata kriminale shqiptare janë sekuestruar në Spanjë në dy operacione brenda një jave. Kjo u njoftua nga policia spanjolle e cila nënvizoi edhe rolin e rëndësishëm të mafias ballkanike në trafikun e drogës.

Kjo sasi kokaine është sekuestruar brenda një jave, sipas autoriteteve spanjolle. Droga e sekuestruar erdhi nga Kolumbia nëpërmjet Ekuadorit dhe u gjet në kontejnerë që kishin mbërritur në portet e Vigos, në Galicia dhe Valencia.

Në operacionin e parë, policia në Vigo sekuestroi 7.5 ton kokainë të fshehur në fileto peshku të ngrirë. Operacioni i dytë, në Valencia, rezultoi në sekuestrimin e 3.4 ton kokainë të fshehur në fundet e dyfishta të kontejnerëve detarë.

20 persona u arrestuan në këto dy operacione nga fundi i nëntorit deri në fillim të dhjetorit. Sipas policisë ata u përkasin dy organizatave me origjinë ballkanike, thotë policia, duke e përshkruar këtë si një “goditje të madhe” për një nga rrjetet më të fuqishme të shpërndarjes në Evropë. Mediat spanjolle bëjnë me dije se shumica ishin shqiptarë, por pjesë ishte edhe një kolumbian, një dominikan dhe disa spanjollë, përfshirë një sipërmarrës galician që përdorte biznesin e tij të importit të peshkut për të organizuar transportin e drogës.

Sipas autoriteteve spanjolle, të dy operacionet nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin, por e vetmja e përbashkët qëndron në faktin se organizatat që qëndrojnë pas tyre janë me origjinë shqiptare. po ashtu drejtues të policisë spanjolle bëjnë me dije se mafiozët e Evropës Juglindore, me nofkën “Karteli ballkanik” paraqesin një interes të madh për të gjitha policitë evropiane.

Klan News