Policia italiane ka shkatërruar një rrjet mafioz duke arrestuar 94 persona në Palermo. Sipas prokurorëve, të arrestuarit ishin përfshirë në një skemë mafioze dhe kishin mashtruar me fondet që jepen për bujqësinë nga Bashkimi Europian.

Dëmi është miliona Euro, rreth 5.5 milionë. Në mesin e të arrestuarve janë kryetarët e dy familjeve mafioze në Siçili, disa zyrtarë shtetërorë, një kryetar komune dhe një ekonomist.

Nga hetimet është zbuluar se familjet mafioze përfitonin miliona Euro subvencione për bujqësinë që jepeshin nga BE, kur në fakt nuk posedonin asnjë tokë bujqësore. E gjithë kjo skemë mashtrimi është zhvilluar në periudhën 2010-2017.

Mafia atje ka një fuqi të tillë saqë morën nën kontroll 15 hektarë tokë vetëm me një telefonatë. Nuk kishte nevojë për asnjë kërcënim”, tha gjyqtari që firmosi urdhrat e arrestit.

Aksionin policor e përshëndeti edhe ministrja italiane e Bujqësisë, e cila tha se fermerët siçilianë kanë qenë historikisht të lidhur me trafikun e drogës, ndërsa tani po kërkojnë mënyra të tjera për të përfituar nga fondet e BE-së.

Bashkimi Europian jep 60 miliardë Dollarë në vit subvencione për fermerët e vendeve anëtare të unionit. /tvklan.al