SHBA angazhohet për arritjen armëpushimit

Ky është momenti kur raketat e lëshuara gjatë një sulmi ajror nga Izraeli godasin dhe shkatërrojnë ndërtesën shumëkatëshe në Gaza ku ndodheshin zyrat e rrjetit televiziv ndërkombëtar Al Jazera dhe Associated Press. Sulmi erdhi vetëm 1 orë pasi autoritetet ushtarake izraelite kishin paralajmëruar se do të godisnin godinën dhe kishin kërkuar evakuimin e saj.

Fatmirësisht, falë reagimit të shpejtë dhe evakuimit në kohë, nga sulmi shkatërrues nuk pati viktima, por vetëm dëme të mëdha material dhe logjistike. Në një deklaratë të lëshuar pak më vonë, ushtria izraelite tha se ndërtesa shërbente edhe si bazë për strehimin e militantëve të Hamasit. Ndaj këtij sulmi reagoi edhe Shtëpia e Bardhë, e cila nëpërmjet zëdhënëses së saj Jen Psaki, i kërkoi Izraelit të garantojë sigurinë e gazetarëve.

Ndërkohë që konflikti mes dy vendeve vijon të përshkallëzohet duke sjellë edhe një numër të lartë viktimash. Ushtria Izraelite bombardoi me sulme ajrore e artileri të rëndë, ndërsa palestinezët vijuan të kundërpërgjigjen me raketa, shumica e të cilave fatmirësisht u shkatërruan në ajër.  Një sulm ajror izraelit në një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës vrau 10 njerëz të shtunën, ndërsa një raketë palestineze vrau një burrë në Izrael.

Që nga e hëna kur nisi përplasja e armatosur autoritetet palestineze kanë thënë se kanë humbur jetën 139 persona, përfshirë 39 fëmijë, ndërsa Izraeli ka raportuar për 10 te vdekur, nga të cilët 2 të mitur. Diplomatët amerikanë dhe ata arabë po kërkojnë të qetësojnë situatën, por deri më tani pa ndonjë rezultat.

I dërguari i SHBA-ve, Hady Amr, arriti në Izrael ku do të marrë pjesë në bisedime me zyrtarë izraelitë dhe palestinezë me qëllim ndërprerjen e luftimeve dhe për të mundësuar atë që diplomatët amerikanë e kanë cilësuar si një “qetësi të qëndrueshme”.

Presidenti i SHBA Joe Biden telefonoi të shtunën Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidentin palestinez Mahmoud Abbas, të cilëve u kërkoi t’i japin fund përshkallëzimit. Egjipti, i cili ka udhëhequr përpjekjet rajonale, dërgoi ambulanca përtej kufirit të tij me Gaza për të sjellë të plagosurit palestinez në spitalet egjiptiane. Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu bënë thirrje për një armëpushim dhe bisedime.

Kushtet e jetesës në Gaza po përkeqësohen, me familjet që tani marrin vetëm katër orë në ditë energji, pasi linjat nga Izraeli dhe stacioni i vetëm i Gazës u dëmtuan nga raketat.

Tv Klan