Petrit Gjorgji u qëllua nga familjari i një pacienti në repartin e urgjencës

Një 24-vjeçar në Tiranë është arrestuar nga policia pasi ka goditur një mjek në krye të detyrës në QSUT.  Bëhet fjalë për mjekun e urgjencës Petrit Gjorgji i cili është dhunuar në QSUT nga një familjar i një pacienti.

E gjithë ngjarja ka ndodhur gjatë momentit kur një pacient i cili trajtohej për probleme me veshkat është rrëzuar nga krevati. Në këtë moment mjeku së bashku me ndihmën e kolegëve janë munduar ta ngrenë por janë ndeshur me rezistencën e familjarëve, të cilët ishin prezent në dhomën e shërbimit.

Gjatë kësaj kohe i riu ka goditur mjekun Gjorgji nga pas, por kanë ndërhyrë mjekët e tjerë dhe infermierët që ndodheshin tek reparti i urgjencës. Personeli mjekësor, ka telefonuar menjëherë policinë të cilët bënë të mundur arrestimin në flagrancë të të riut. Ndalimi i 24-vjeçarit u bë nga efektivët e komisariatit nr.4 të cilët janë të vendosur pranë spitalit infektiv COVID 1.

Me ndryshimet e reja të kodit të ri penal, 24-vjeçari rrezikon nga 1 deri në 3 vite heqje lirie, pasi vepra penale e goditjes për shkak të detyrës e funksionarëve shtetëror ka këtë sanksion.

Për rastin e mjekut Gjorgji ka reaguar dhe vetë spitali, ku shprehen se dënojnë aktin e dhunës, ndaj i bëjnë thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen. Drejtuesit e QSUT-së apelojnë qytetarët të mirëkuptojnë dhe të përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin për shërbimin ndaj pacientëve.

Klan News