Përparim Hasa, prokuror i Pokurorisë së Tiranës është vënë nën hetim për korrupsion. Emri i tij është përmendur në një pergjim të zhvilluar mes nje avokateje dhe një personi të arrestuar për shitje të lëndëve narkotike.

Në këtë bisede avokatja Donata Lepenica i thotë klientit të saj se e kishte rregulluar me prokurorin si çështje në këmbim të 2 mijë Eurove. Avokatja është vënë në pranga nga policia me urdhër të Prokurorisë, ndërsa për prokurorin Hasa janë duke u kryer veprime hetimore. Gjithashtu në pranga kanë rënë Yzeir Bala dhe Megi Naksi, roli i të cilëve ende nuk është zbardhur në këtë histori.

Katër ditë më parë për llogari të këtij hetimi janë marrë pamjet filmike të Prokurorisë së Tiranës. Ato do të kqyren pasi avokatja dyshohet se ka shkuar në zyrën e Prokurorit pikërisht për këtë çështje. Megjithatë do të jenë hetimet ato që do të konfirmojnë nëse prokurroi Hasa ka qënë i përfshirë në këtë rast. Marrja në pyetje e avokates pritet të hedhë më shumë dritë për këtë çështje.

Tv Klan