30 të arrestuar, trafikuan 4 tonë kokainë në 5 vjet

Pesë vjet hetime të autoriteteve italiane në bashkëpunim me Europol çuan në goditjen e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë i drejtuar nga një grup kriminal shqiptar. 30 masa arresti me burg u ekzekutuan nga policia italiane e Firences, 5 prej të cilëve u prangosën në Shqipëri në një operacion të koduar “Los Blancos”, siç është dhe emri ndryshe i skuadrës së Realit të Madridit.

Bëhet fjalë për organizatën e drejtuar nga Dritan Rexhepi që ndodhet në një burg të Ekuadorit, por që vijonte aktivitetin. Në pranga ka rënë në Dubai, Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi.

31-vjeçari konsiderohet një person me rekorde kriminale të theksuara në fushën e trafikimit të drogërave të forta dhe krimeve ndaj personit. Në Rumani u arrestua 40-vjecari Lek Çolaj, Gjergj Lesaj u arrestua ne Holandë, Sokol Alikos (Memetaj) iu vunë prangat në Spanjë, Robert Vargës në Hungari, ndërsa Altin Velsulës (Hoxha) iu komunikua masa e arrestit në një burg në Norvegji.

Operacioni u shtri edhe në disa qytete të vendit ku u vunë në pranga 5 persona. Dy u arrestuan në Vlorë ndërsa të tjerët në Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Ata akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Vetëm në 5 vitet që kjo organizatë ishte vënë nën hetim, autoritetet kishin mundur të sekuestronin 5.5 milionë Euro që buronin nga ky trafik dhe rreth 4 ton kokainë.

I gjithë ky rrjet që dyshohet se ka në krye Dritan Rexhepin që kishte kontakte me kartelet e drogës, kontrollonte trafikun e kokainës nga Amerika Latine deri tek shpërndarësit në Europë. Për të kryer transportin e kokainës ata kishin ngritur një kompani të quajtur “Kompania Bello”, ecila merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën.

Të arrestuarit në Shqipëri:

Gentian Manaj arrestuar në Tiranë

Elvis Jaupaj arrestuar në Vlorë

Jorin Llambro arrestuar në Vlorë

Rexhino Ibrahimi  arrestuar në Durrës

Vladimir Lesaj arrestuar në Lezhë

Tv Klan