Ky është momenti kur katër të rinj nga Kosova arrestohen nga policia e Tiranës. Ishin efektivët e sektorit për hetimin e trafiqeve që zbuluan një tentativë të trafikimit të armëve, drejt kryeqytetit. Ndalimi i tyre u bë në parkimin e një terminali autobusësh në Lundër.

10 pistoletat dyshohet se janë vënë nga Blerim Krasniqi në një çantë në autobusin e Edonis Thaçit. 28-vjeçari Krasniqi së bashku me kushëririn tjetër Muhamed Krasniqi ndoqën autobusin nga Kosova drejt Tiranës. Pasi mjeti i transportit të udhëtarëve ndaloi në terminalin në Lundër, dy kushërinjtë Krasniqi dhe i arrestuari tjetër Benjamin Shalla morën çantën me armët dhe u nisëm me një automjet tip Volksvvagen, por u ndaluan nga policia.

Pas ndalimit të tre të rinjve, u arrestua edhe shoferi i autobusit Edonis Thaçi si bashkëpunëtor i tyre. 10 pistoletat dyshohet se do të shiteshin kundrejt vlerës nga 1500 deri në 3000 euro në kryeqytet.

Grupi kriminal nga Kosova dyshohet se prej 1 viti trafikonte armë zjarri nga Kosova drejt Shqipërisë. Sektori për hetimin e trafiqeve të Tiranës prej 7 muajsh i kishin në përgjim. Blerim dhe Muhamed Krasniqi, kushërinj me njëri-tjetrin i fusnin armët te linja e autobusëve në pronësi të Edonis Thaçit. Ky i fundit ishte në dijeni të aktivitetit kriminal dhe bashkëpunonte me të tre personat e tjerë të arrestuar.

Më herët grupi kriminal dyshohet se ka sjell armë në Shqipëri, kryesisht pistoleta, në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Korçë. Ka dyshime të forta se armët dërgoheshin edhe në Greqi, për llogari të grupeve kriminale atje.

Klan News