Tre persona janë arrestuar nga policia e Fierit, lidhur me sulmin fizik ndaj oficerëve të operacionales në drejtorinë e policisë së shtetit dhe agjentëve të BKH-së mbrëmjen e së martës.
Fillimisht për ngjarjen në aksin Fier-Patos u shoqëruan, disa persona, por nga verifikimet rezultoi se agresorë ishin Gerald Kollçaku dhe dy kushërinjt Ledjan e Klaudio Kapllanaj.
Këta të fundit janë nipërit e ish kryebashkiakut të Mallakstrës, Agron Kapllanaj.
Arrestimi i tyre u bë për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Sipas policisë Agjentët e BKH dhe Operacionales ishin në terren lidhur me disa veprime hetimore, kur janë sulmuar nga personat tashmë të arrestuar.
Për ngjarjen ka reaguar zyrtarisht dhe BKH, e cila thotë se sulmi ishte pa asnjë motiv, dhe se veprimet e kryera në terren nga agjentët e saj janë në përputhje me ligjin.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos teksa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier. SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm”, shkruan BKH në njoftimin zyrtar
Ndërkohë vetë të arrestuarit kanë deklaruar se konflikti fillimisht nisi nga fjalë fyese, e më pas përfundoi në përplasjet fizike mes palëve, pasi agjentët e Operacionales nuk u janë prezantuar, e as nuk kanë pasur logo dalluese.
Tv Klan