Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për goditjen e territorit të centralit atomik në Saporishja. Siguria e centralit atomik është e rrezikuar.

Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëra-tjetrën për goditjen e centralit atomik ukrainas, Saporishja të pushtuar nga Rusia. Sipas mediave ruse, ushtria ukrainase, të premten vonë ka qëlluar në territorin e centralit atomik. Sipas mediave ruse janë shkëputur dy linja elektrike dhe ka shpërthyer zjarri. Të dhënat nuk mund të provohen në mënyrë të pavarur.

Pala ukrainase nga ana e saj, u shpreh, se rusët e kanë goditur vetë këtë territor. Si pasojë e sulmit janë dëmtuar linja të tensionit të lartë, bëri të ditur koncerni atomik shtetëror ukrainas, Enerhoatom. Një repart i centralit është dashur të mbyllet.

Vetëm para pak ditësh, Agjencia Ndërkombëtare Atomike, IAEA në Vjenë u shpreh mjaft e shqetësuar për gjendjen në centralin atomik me gjashtë reparte dhe një kapacitet prej 6000 megavat. Saporishja është centrali më i madh atomik i Europës.  Kërkohet me urgjencë inspektimi i sigurisë teknike të centralit është shprehur kreu i IAEA-s, Rafael Grossi. Por aktualisht për këtë autoritet është shumë e vështirë të depërtojë në zonën e luftës përreth Saporishjas. Edhe shërbimi sekret britanik së fundmi ka arritur në konstatimin, se sulmet e forcave ruse me shumë gjasa e rrezikojnë sigurinë e centralit atomik.

Edhe tre anije të tjera me drithëra largohen nga portet ukrainase

Dy javë pas përfundimit të marrëveshjes për eksportet agrare nga Ukraina, edhe tre anije të tjera me drithëra dhe artikuj ushqimorë janë larguar nga portet ukrainase në Detin e Zi. “Navistar”, “Rojen” dhe “Polarnet” kanë bord rreth 58.000 tonë misër, bëri të ditur ministri ukrainas i Infrastrukturës,Olexander Kubrakov./DW