Goditje dyshe në merkato për Interin




Goditje dyshe në merkato për Interin

09:57 29/06/2022

Interi e nis vrullshëm merkaton e kësaj vere. Zikaltërit kanë arritur të mbyllin marrëveshjen me Romelu Lukakun dhe Kristjan Asllanin. Mesfushori shqiptar bën kështu hapin e rëndësishëm me transferimin në Milano, duke kaluar kështu te zikaltërit si zëvendësues i Marcelo Brozovic në sezonin e ri.

Asllani i ngjason shumë stilit të lojës së kroatit, megjithatë 20-vjeçari është i aftë të luajë në disa role të ndryshme në mesfushën e Interit. Futbollisti shqiptar do të qëndrojë në Milano për të paktën deri në vitin 2027, nga ku do të përfitojë rreth 1 milionë euro në sezonin e parë, për t’u rritur më pas gjatë kontratës me zikaltërit. Asllani bëhet kështu edhe futbollisti i dytë shqiptar i kombëtares kuqezi që firmos me skuadrën zikaltër, pas Rej Manaj.

Ndërkaq, Romelu Lukaku është gati të nis eksperiencën e dytë me fanellën e Interit. Belgu ka mbërritur në formulën e huazimit nga Çelsi, duke kompletuar kështu rikthimin e madh te nënkampionët e Italisë. 29-vjeçari belgu u bë nënshkrimi rekord i “Bluve të Londrës” kur firmosi me Lukakun vitin e kaluar për një shifër prej 115 milionë euro.

Sulmuesi luajti shumë pak në Londër, ku 8 golat e tij nuk bënë diferencën te skuadra e Tuhel, duke e lënë të largohet. Sa i përket eksperiencës te Inter, Lukaku besohet se do riformojë dyshen kampione të sezonit 2020-2021 me Lautaro Martinez. Lukaku luajti për dy sezone me Interin, duke shënuar 47 gola në 72 paraqitjet e tij në Seria A.

Tv Klan










Të ngjashme