Goditjet e SPAK, Balla: PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ


Goditjet e SPAK, Balla: PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ

13:37 16/07/2021

Javët e fundit SPAK ka lëvizur ku pas hetimeve ka vënë në pranga ish-kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe dhe ish-zv/ministren e Brendshme, Rovena Voda. Këtë të premte, Taulant Balla foli pikërisht për këtë gjë dhe tha se Tushe e Voda kanë detyrimet e tyre ligjore që të bëjnë betejën me drejtësinë.

Ai u shpreh se që pas arrestimit Tushe nuk është më pjesë e PS. Balla i bëri thirrje të gjithë forcave politike që të reagojnë si selia rozë sa i përket standardit që është vendosur me ata që shpërdorojnë financat publike. Balla u shpreh se PS nuk mund të bëhet pis nga çdo individ pasi përgjegjësia është individuale.

“Kur ne kemi mbështetur prej ditës së parë Reformën në Drejtësi ka qenë bindja jonë që institucionet e reja të dretësisë duhet të godasin këdo që shkel ligjin dhe shpërdoron financat publike. PS e Shqipërisë ka vendosur një standard që uroj dhe bëj thirrje që të gjithë forcat e tjera politike të bëjnë të njëjtën gjë. Fatos Tushe nuk është më pjesë e PS. Ka detyrimin ligjor të bëjë një betejë tijën ligjore dhe ndërkohë që edhe zonja në fjalë që i referoheni. Këtë standard e kemi vendosur prej kohësh. PS nuk ka asnjë dhe nuk mban përgjegjësi për  çdo person që këtë betejë dhe këtë hesap e ka personal. Jeni në dijeni që këto ditë kanë qenë edhe dy kryetarë bashkish, njëri nga PD dhe njëri nga LSI që janë në hesapet e drejtësisë. Dallimin mund ta bëni thjesht. Reagimi i PS do jetë i njëjtë gjithmonë. PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ që në një moment të caktuar ka marrë mandatin e përfaqësimit nga PS. Përgjegjësia është vetëm personale. Kemi besuar dhe besojmë jemi krenarë që kemi çuar përpara reformën në Drejtësi. Ata që kishin aludimet ç’po bën SPAK apo si po reagon drejtësia të shohin rezultatet tani. Ky është vetëm fillimi i një procesi goditjeje të çdo lloj fenomeni dhe kryeministri ka qenë i qartë në këtë aspekt”, tha Balla.

Ata që kanë aluduar për SPAK-un dhe drejtësinë e re se po kapen nga PS sipas Ballës duhet të kërkojnë falje.

“Kushdo që ngriti pikëpyetje se PS e Shqipërisë po kapte drejtësinë e re sot duhet të përdorë mikrofonat tuaj për të kërkuar falje sepse nuk qenka kështu. Drejtësia po goditet sa majtas, djathtas, sa lart poshtë dhe kjo është drejtësia për të cilën shqiptarë kanë shpresuar. Ajo që ne kemi thënë është që Shqipëria tashmë ka një drejtësi e cila është e pavarur tërësisht nga politika”, tha Balla./tvklan.al







Të ngjashme