Kristjan Asllani shënon dy herë për Empolin në fitoren ndaj Crvena Zvezda

Mesfushori i kombëtares shqiptare U-21, Kristjan Asllani ka qënë vendimtar për skuadrën e 19-vjeçarëve të Empolit, duke kontribuar në kualifikimin më tej në Ligën e Kampionëve për të rinj. Futbollisti i cili po shkëlqen në radhët e skuadrës italiane shënoi dy gola në fitoren 5-0 që arritën përballë Cërvena Zvezdës.

Fillimisht, Asllani përfitoi nga një pakujdesi në mbrojtjen kundërshtare për të tundur rrjetën. Shqiptari shënoi golin për 2-0, për t’ia bërë më të lehtë administrimin e rezultatit Empolit, e cila gjeti fundin e rrjetës dhe në tre raste të tjera. Njëri prej tyre mban sërish firmën e Asllanit, këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë.

Gola që forcojnë pozitat e mesfushorit te Empoli, që vitet e fundit është mbipopulluar nga futbollistët shqiptar. Së bashku me Asllanin, të cilit nuk i ka munguar thuajse në çdo sfidë ftesa tek ekipi A, tek skuadra italiane aktivizohet edhe dyshja tjetër kuqezi, Ardjan Ismajli dhe Nedim Bajrami.

Klan News