Shënon Gjimshiti, Tuci ndihmon Lokomotivën në renditje

Pas Armando Sadikut në Spanjë, ishte radha e dy futbollistëve të tjerë kuqezinj të shënojnë me skuadrat e tyre. Berat Gjimshiti shënoi golin e dytë sezonal për Atalantën e tij.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare hapi serinë e golave në fitoren 4-1 që skuadra e tij mori në shtëpi ndaj Sassuolos. Shtatlarti shqiptar u gjend në vendin e duhur dhe shtyu topin në rrjetë.

Një paraqitje fantastike e Gjimshitit për 90 minuta, teksa u vlerësua me notën 7. Euro sport shkruan: “Një grabitqar në zonën e rreptësisë. Pas një paraqitje të madhe, asgjë nuk kalon në anën e tij”.

Atalanta mban vendin e katërt dhe shkëputet në 6 pikë nga Roma e vendit të pestë. Me shumë gjasa, Gjimshiti do të luajë sërish në Champions League sezonin e ardhshëm.

Ndeshje fantastike bënë edhe shqiptarët e Lokomotivës së Zagrebit, ku protagonisti kësaj here ishte Indrit Tuci, që realizoi golin e barazimit provizor në përmbysjen që ekipi bëri ndaj Hajduk Split, nga 0-2, në 3-2.

Një rezultat që ngjit Lokomotivën e Zagrebit në vendin e dytë, çka do të thotë pjesëmarrje në turet kualifikuese në Champions League. Tuci realizoi në minutën e 66 të ndeshjes me një kryevepër, një goditje mjeshtërore që përfundoi poshtë traversës.

Goli në shtesë i Kolinger i dha fitoren skuadrës. Por meritë për suksesin patën edhe Uzuni, Mersinaj, Çokaj dhe Kastrati, teksa mposhtën në krahun tjetër Ismajlin.

Tv Klan