Uzuni dhe Çekiçi shënojnë për skuadrat e tyre

Sulmuesit kuqezinj vijojnë të shënojnë me ekipet e tyre në Europë. Katër gola në katër ndeshjet e fundit për Myrto Uzunin, që ka rigjetur formën e tij më të mirë në momentin e duhur për Lokomotivën e Zagrebit. Sulmuesi shqiptar është bërë protagonisti kryesor i skuadrës së tij që nga fillimi i muajit Shkurt dhe tundur përsëri rrjetën në kampionat, në përballjen e fituar 3-0 ndaj Slaven Belupo.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare hapi serinë e golave në minutën e 59’ të ndeshjes që ekipi i tij më pas e dominoi lehtësisht. Goli i shtatë për këtë sezon për Uzunin. Lokomotiva e Zagrebit ka mundësinë e pjesëmarrjes në Ligën e Europës në edicionin e ardhshëm.

Ndërsa për Endri Çekiçin e Olipija Ljubiana, dy gola në tri ditë në kampionatin slloven. Sulmuesi shqiptar realizoi një gol kryevepër nga goditja e dënimit në transfertë ndaj Aluminij. 23-vjeçari goditi mjeshtërisht në trekëndëshin e djathtë të portës, duke çuar në delir skuadrën e tij për avantazhin 0-1.

Ky ishte goli i nëntë i tij në kampionat, ku është aktivizuar në 19 ndeshje. Skuadra e Çekiçit fitoi 2-1 me ekipin e vendit të tretë, duke përforcuar pozitat në vendin e parë. Ish-lojtari i Dinamos së Zagrebit po dërgon javë pas javë sinjale që edhe ai të provojë të veshë fanellën e ekipit kombëtar. Çekiçi ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Shqipërisë.

Tv Klan