Kosova u trondit të dielën në mbrëmje nga vrasja makabre e një vajze 18-vjeçare e cila u dërgua e vdekur në emergjencën e Ferizajt. Marigona Osmani dyshohet se u vra nga Dardan Krivaqa, i cili është shpallur në kërkim. Për ngjarjen, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar Arbër Sejdiun, si bashkëpunëtor në krim.

Familjarët e së resë, në një prononcim për Klan Kosova jashtë kamerave, thanë se 18-vjeçarja kishte dy muaj që ishte e martuar me Dardan Krivaqën. Ata thanë po ashtu se Marigona ishte martuar pa pëlqimin e prindërve të saj.

18-vjeçarja, sipas autoriteteve, është dhunuar fizikisht dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve. Megjithatë do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.

Pasi e dërguan trupin e pajetë të Marigonës në spital, Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaqa u larguan nga vendi i ngjarjes. Vrasja e së resë ka sjellë mjaft reagime në Kosovë, ku një ndër to është edhe reagimi i reperit te njohur Gold Ag i cili shprehet se në ditët e sotme është shumë e vështirë të rrisësh një vajzë dhe se shumë njerëz i dalin në mbrojtje antivlerave.

“Qef me pas qikë e zor me rujtë qikë. Del një i prishur n’tru e në zemër e këput si lule hala mirë pa çelë dhe në fund të gjithë e shajnë laperin e vrasësin, por për fat të keq një shumicë prej tyre çdo ditë e shajnë islamin e muslimanin. Ma shumë ju pengon namazi në rrugë se droga në shtëpi e shkolla. Ngushëllime familjes së vajzës, Zot na udhëzoi e na ruaj familjet tona”, ka shkruar shkruar Gold Ag në një postim në Instastory. /tvklan.al