Operatorët turistike thonë se kanë nisur prenotimet e vizitorëve nga shtete të ndryshme të Europës

Me një gamë të gjerë hotelesh dhe resortesh luksoze turistike duke përfshirë edhe shërbimin all-inclusive, plazhi i Golemit, i dyti për nga madhësia, pas plazhit të Durrësit, preferohet çdo ditë e më shumë nga turistë elitar.

Strukturat e reja akomoduese, shërbimi cilësor si dhe çmimet konkurruese në krahasim me disa nga vendet e rajonit po e bëjnë këtë bregdet mjaft tërheqës. Prenotimet e para nga turistët e huaj kryesisht polak dhe çek kanë nisur, ndërsa fundjavat mbipopullohen nga pushuesit vendas dhe trevat shqipfolëse.

Krahas përmirësimit të shërbimeve turistike, ndërtimit të strukturave të reja akomoduese apo krizës që hasën si pasojë e pandemisë, operatorët turistik kanë vendosur të mbajnë të njëjtin tavan çmimesh me sezonin e kaluar, duke mos i rritur ato.

Strukturat turistike ofrojnë gjithashtu larmishmëri gatimesh nga ato tradicional, gatime në zgarë, prodhime mishi, deti etj. Pushuesit shprehen të kënaqur me shërbimin cilësor dhe akomodimin, ndërsa japin mendime të ndryshme për çmimet.

Plazhi me një gjatësi prej 5 kilometra, me rërë e ujë të pastër, që gërshetohet me natyrën nga pylli me pisha dhe kaltërsia e detit Adriatik, vizitohet nga qindra mijëra pushues dhe preferohet në çdo stinë të vitit.

Klan News