Bota e futbolli shprehu habi dhe vlerësim për golin e portierit Alison Beker, që i dha fitoren Liverpulit ndaj Uest Bromit.

Gardiani realizoi në minutën e 95 me kokë, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në Ligën e Kampioneve.

Para gazetarëve, lojtari u përpoq shumë që të mbante lotët, ndërsa mori vlerësime si nga trajneri Jurgen Klop, ashtu edhe nga kolegët e tij.

Goli është special, pasi braziliani është portieri i gjashtë që shënon në historinë e Premier Ligës dhe i pari që i jep fitoren ekipit të tij.

Tani Liverpuli shpreson për një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, kur kanë ngelur edhe 2 javë nga përfundimi i kampionatit.

Ky ka qenë një vit tragjik për portierin. I ati i tij Zhose, u nda nga jeta në shkurt pasi u mbyt. I biri e pati të pamundur që të merrte pjesë në ceremoninë mortore.

“Kam shumë emocione, me çdo gjë që ka dodhur në jetën time së fundmi në familje. Shpresoj që im atë të ketë qenë aty e të më ketë parë duke festuar. Ky gol ishte për familjen dhe djemtë”, tha braziliani pas takimit.

Gardiani i cili u bë pjesë e ekipit në verën e 2018-ës, ka mundësinë që të ndihmojë skuadrën që ta mbyllë ndër 4 më të mirat në renditje dhe të sigurojë kështu një vend në Ligën e Kampioneve.

“Champions-i ka shumë rëndësi për ne dhe jam i lumtur që dhashë ndihmë time. Ky është goli më i rëndësishëm që kam shënuar. Të tilla gjëra nuk i shpjegon, thjesht ndodhin”, tha braziliani për mediat.

Të kuqtë renditen në vend të pestë me 63 pikë, një më pak se sa Çelsi.

Blutë e Londrës do të përballen me Lesterin e vendit të tretë ditën e nesërme, ndërsa një ditë më pas skuadra e Klopit do të ndeshet në transfertë ndaj Bërnlejt.

Klan News