Filmi u cilësua racist pas protestave në Amerikë

Vetëm 24 orë pas heqjes nga shërbimi i transmetimit HBO, filmi “Gone with the wind”, ose “bashkë me erën”, ka shënuar shitjet më të larta në Amazon.com.

Dhe kjo erdhi si pasojë e zemërimit dhe protestave të dhunshme pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd nga një polic i bardhë.

Pavarësisht vendimit të HBO, shumë amerikanë kanë dashur ta shohin edhe njëherë filmin, kësaj radhe nën sfondin e kritikës për racizëm.

Por përse lindën kundërshtimet për një prej klasikeve të kinematografisë amerikane?

Bazuar në luftën civile amerikane, fitues i shumë çmimeve Oscar, filmi akuzohet si racist, pro-skllaverisë dhe promovues i stereotipeve për njerëzit me ngjyrë.

Sipas kritikëve, filmi ka në qendër të tij vetëm dramën e njeriut të bardhë, ndërsa ata me ngjyrë janë stereotipe të dembelizmit, personazhe pa thelb dhe që nuk përfshihen në dramën e filmit.

Edhe pse për herë të parë në SHBA një aktore me ngjyrë Hattie McDaniel, mori OSCAR për rolin e shërbëtores, analistët mendojnë se për momentin HBO ka bërë zgjedhjen e duhur.

Tv Klan