Synimi, shmangia e lajmeve të rreme gjatë fushatave elektorale

Asnjë reklamë politike nuk do të shfaqet më nga Google. Motori më i madh në botë i kërkimit në internet do të nisë nga java e ardhshme, aplikimin gradual në të gjithë globin të ndalimit të publikimit të reklamave të fushatave elektorale.

Qëllimi është të shmanget përdorimi i jashtëligjshëm i të dhënave të përdoruesve online të kësaj platforme, për krijimin e lajmeve të rreme dhe mesazheve specifike reklamuese të partive politike për ta.

Google njoftoi se aplikimi masës parandaluese do të nisë me fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 12 Dhjetorit në Britaninë e Madhe. Të njëjtën masë ka marrë edhe rrjeti social Twitter, por ende nuk ka një vendim nga Facebook.

Praktika e reklamave specifike elektorale pati ndikim të madh tek votuesit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, kur Facebook shiti në mënyrë të jashtëligjshme të dhëna private të përdoruesve, kompanisë Cambridge Analytica, me qendër në Britaninë e Madhe.

Dyshohej se kjo kompani ishte paguar nga Moska për të ndikuar tek elektorati amerikan për të votuar për kandidatin republikan Donald Trump, i cili fitoi zgjedhjet. Megjithatë në hetimin për skandalin Russiagate nuk u faktua bashkëpunimi mes stafit elektoral të Trumpit dhe Cambridge Analytica.

Tv Klan