Një gjykatë në Moskë të Rusisë e gjobiti të premten kompaninë Google në një shumë prej gati 100 milionë dollarësh. Dënimi u shqiptua për dështimin e kësaj kompanie për të fshirë përmbajtjen e ndaluar nga ligji vendas, një dënim ky që pasqyron përpjekjet ruse për të rritur presionin ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë.

Gjykata vendosi që Google në mënyrë të përsëritur neglizhoi heqjen e përmbajtjes së ndaluar dhe urdhëroi kompaninë të paguante një gjobë administrative prej rreth 7.2 miliardë rublash (rreth 98.4 milionë dollarë).

Google tha se do t’i rishikojë dokumentet e gjykatës dhe më pas do të vendosë për hapat e ardhshëm.

Autoritetet ruse kanë rritur vazhdimisht presionin mbi platformat e mediave sociale, duke i akuzuar ato për dështim në pastrimin e përmbajtjeve që lidhen me abuzimin me drogën, armët dhe eksplozivët. Në fillim të këtij viti, autoritetet fajësuan kompanitë e teknologjisë për mosfshirjen e njoftimeve për protesta të paligjshme në mbështetje të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, aktualisht i burgosur.

Gjykatat ruse më parë shqiptuan gjoba më të vogla për Google, Facebook dhe Twitter këtë vit. Vendimi i gjykatës së Moskës të premten shënoi herën e parë që lartësia e gjobës u llogarit në bazë të të ardhurave.

Autoritetet ruse kanë kërkuar, gjithashtu, që gjigantët e huaj të teknologjisë të ruajnë të dhënat personale të qytetarëve rusë në serverët në Rusi, duke i kërcënuar ata me gjoba ose ndalime të mundshme nëse nuk i respektojnë kërkesat./REL