Google ka lançuar Bard, chatbot-in e inteligjencës artificale që do të rivalizojë ChatGPT të OpenAI.

Chatbot-i i ri do të jetë i disponueshëm vetëm për një numër  të caktuar përdoruesish  në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar të cilët duhet të jenë 18 vjeç. Sipas gjigandit të teknologjisë, me kalimin e kohës platforma do të zgjerohet me më shumë përdorues, vende dhe gjuhë të ndryshme.

Bard është krijuar në mënyrë të tillë që përdoruesit mund të hyjnë menjëherë në Search për të kontrolluar përgjigjet e tyre apo të eksplorojnë burime në rrjet. Duke klikuar “Google it” mund të shihen  sugjerimet për pyetjet dhe Search do të hapë një dritare të re ku mund të shihen rezultatet dhe të kërkohet më tepër.

Por Google ka njoftuar se Bard ka “kufizimet” e veta sepse mund të shpërndajë keqinformim dhe shtrembërim të fakteve.

Kjo vjen për shkak se ‘mëson’ nga informacionet e botës reale ku këto probleme  ekzistojnë dhe është e mundur që stereotipet dhe informacionet e pavërteta të shfaqen në përgjigjet e tij./tvklan.al