Google mori vendimin që t’i pezullonte Huawei-t licencën e Android, pasi Administrata Trump e futi kompaninë kineze në listën e zezë, për shkak të shqetësimeve për çështje të sigurisë. Kjo lëvizje do të pengojë pajisjet Huawei që të marrin përditësime të rëndësishme të software-it dhe të sigurisë, ashtu sikurse do të prekë mundësinë për të pasur akses në disa prej aplikacioneve më popullore të Google, si Maps apo YouTube.

Huawei është një prej prodhuesve më të mëdhenj të telefonave që përdor sistemin operativ Android të zhvilluar nga Google, në telefonat dhe tabletat e tij.

Ata që kanë një pajisje Huawei do të mund të përditësojnë telefonat e tyre dhe aplikacionet, por nuk do të jenë në gjendje të marrin versionin e ri të sistemit operativ Android, kur ai të dalë. Kjo do të bëjë që telefonat e kompanisë të kenë probleme me sigurinë dhe të mos marrin dot përditësime të rëndësishme.

Android tha se kishte marrë hapa

“për të qenë në një linjë me veprimet e fundit të shtetit amerikan”.

Kjo, sipas The Independent, mund t’i referohet urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan, i cili mesa duket kishte si qëllim ndalimin e pajisjeve të Huawei nga rrjetet amerikane. Urdhri, që i jep fuqi shtetit amerikan për të ndaluar teknologjinë dhe shërbimet e

“kundërshtarëve të huaj

“, të cilët mund të përbëjnë

“rreziqe të papranueshme”

për sigurinë kombëtare, nuk specifikonte shtete apo kompani.

/tvklan.al