3 persona janë vënë në pranga në Durrës pasi grabitën me armë një pushues. 40-vjeçari H.S. dhe 33-vjeçari K.R. dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin i kanë marrë mjetin Audi Q5 dhe 6 000 franga 33-vjeçarit B.F.

Pas kësaj, ata janë larguar në drejtim të Kavajës, ku kanë kërkuar ndihmën e 42-vjeçarit G.D për të fshehur makinën pasi po i ndiqte policia. Për t’i shpëtuar uniformave blu, ata braktisën mjetin dhe u larguan, por jo për shumë gjatë, pasi u kapën sëbashku me bashkëpunëtorin tjetër.

Dy personat që grabitën me armë pushuesin, i cili banon në Zvicër, janë me precedentë të theksuar kriminalë.

“K. R., 33 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, pasi në vitin 2013, në qytetin e Vlorës, ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), shtetasin S. P. dhe ka plagosur me thikë shtetasin Sh. D.

H. S., 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali për veprën penale “Vrasja” dhe në Shqipëri për veprat penale “Vjedhja” dhe “Armëmbajtja pa leje””, njoftoi policia./tvklan.al