Krijonin biznese fiktive dhe mashtronin klientët me pagesat online

Një grup i strukturuar kriminal i përbërë nga shqiptarë dhe të huaj është zbuluar nga policia, pasi nëpërmjet mashtrimit kompjuterit kanë arritur që të përfitojnë 4 milionë Euro. Ky grup vepronte në Shqipëri prej 2 vitesh, teksa kanë rënë në pranga 4 persona si edhe 8 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Skema që ata kanë përdorur quhet “Mashtrimi i pagesës nëpërmjet postës elektronike”. Të pandehurit kontrollonin komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe bizneseve. Pasi ndërhynin në sistemin kompjuterik ata kanë qëndruar të “fjetur” derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme.

Ata më pas kontaktonin klientët, duke marrë rolin e biznesit pritës të parave, duke i informuar ata se detajet bankare të kompanisë kanë ndryshuar dhe duke kërkuar që ata të transferojnë fondet në llogarinë e re. Ata duke qenë në brendësi të komunikimeve kanë qenë në gjendje të prodhojnë një mesazh të postës elektronike me pamje të njëjtë me të vërtetin.

Që kjo skemë të funksiononte, këta persona kishin hapur biznese fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë e çelura ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera.

Ato kishin të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit 17 biznese me emra të ndryshëm dhe që më pas në emër të këtyre kompanive kishin hapur numra llogarish bankare. Pjesë e këtij mashtrimi kanë rënë biznese nga 9 shtete të ndryshme të botës, nga SHBA-ja deri në Filipine.

Tv Klan