3 persona të armatosur dhe të maskuar grabitën pasditen e së premtes këtë makinë të transportit të parave të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor.

Ngjarja ndodhi pranë Shkozetit në Durrës rreth orës 16:50, kur paratë po dërgoheshin në një bankë të nivelit të dytë. Mësohet se grabitësit, pasi neutralizuan rojet e kompanisë private të shoqërimit kanë mundur të marrin 7.5 milionë lekë të reja.

Autorët kanë ruajtur momentin sapo makina e parave ka dalë nga institucioni dhe i kanë zënë pritë. Mësohet se në momentin e grabitjes personat e ngarkuar për shoqërimin e parave nuk kanë reaguar, pasi thanë se u gjendën në befasi. Menjëherë pas grabitjes autorët janë larguar në drejtim të Shijakut me një automjet tip Benz.

Policia, e cila u njoftua për ngjarjen, thotë se është vënë në ndjekje të tyre. Janë shoqëruar menjëherë në policinë e Durrësit për t’u pyetur rojet që kishin për detyrë transportin e parave. Në pyetje po merren edhe zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, që kishin dijeni për transportin e parave.

Tv Klan